Mehaj u prit nga ministrja gjermane e Mbrojtjes, biseduan për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë – Bundeswehr, u prit nga homologia e tij, Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht dhe stafi i saj.
Sipas njoftimit të Mehajt në Facebook, në këtë takim, krahas diskutimit për situatën e re gjeopolitike dhe sfidat në mjedisin aktual të sigurisë, të dy ministrat diskutuan edhe nivelin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes si dhe fushat për thellimin e mëtejmë mes dy ministrive respektive.
“Nga ana e saj Ministrja Lambrecht më falënderoj për mbështetjen për refugjatët Afganë, për sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe për rreshtimin e drejt, në mbështetje të popullit dhe shtetit të Ukrainës”, ka bërë të ditur Mehaj.
Ai ka njoftuar se Lambrecht, u shpreh që Gjermania do të mbështes Republikën e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-së dhe antarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar për siguri dhe paqe.
Krahas shprehjes së falënderimit për mbështetjen e madhe në ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së, ministri Mehaj ritheksoi mirënjohjen e thellë për investimet gjermane në vendin tonë si dhe për kontributin shumë të çmueshëm të trupave ushtarake të forcave gjermane në operacionin e KFOR-it në sigurinë e vendin tonë./21Media

Back to top button