Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, e cila është diagnostikuar me koronavirus javën e kaluar, së bashku me presidentin Donald Trump, tha se “ndihet mirë”.

Në një postim në Twitter, Melania, 50 vjeçe, tha se “do të vazhdojë të pushojë në shtëpi”.

Ndryshe nga presidenti Trump, ajo nuk ka kërkuar trajtim në spital, por ka zgjedhur të vetizolohet në Shtëpinë e Bardhë.

“Familja ime është mirënjohëse për të gjitha lutjet dhe mbështetjen. Ndihem mirë dhe do të vazhdoj të pushoj në shtëpi”, tha Melania Trump.

Presidenti Trump është shtruar të premten në spitalin ushtarak Walter Reed.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se gjendja e presidentit vazhdon të përmirësohet dhe se ai mund të lirohet nga spitali gjatë ditës.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me mbi 7.4 milionë të infektuar dhe mbi 209,000 viktima./Rel