Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot u mblodhën për të diskutuar dhe votuar një numër të madh projektligjesh. Por, menaxhimi i seancën nga nënkryetarja ,Arbërie Nagavci mori kritika nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së.

Deputetët e këtyre partive akuzuan Nagavcin se po i bën ‘diskriminim pozitiv’ deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Muratit.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza i kërkoi Nagavcit të udhëheqë seancën në përputhje me rregulloren.

“Zonja nënkryetare, kur të udhëheqësh seancën udhëhiqe në përputhje me rregulloren. Mos bëni as diskriminim pozitiv, e as negativ”, tha ai.

Kritika nënkryetares të LVV-së i dha edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Mënyra qysh e ka menaxhuar zonja Nagavci besoj që është gabim, por shpresoj që është pa qëllim”, tha ai.

Këtyre akuzave iu kundërpërgjigj nënkryetarja Nagavci, e cila tha se seancën po e drejton me saktësi dhe përpikëri.

“Në momentin që e udhëheq seancën, unë e interpretoj rregulloren me saktësi dhe përpikëri”, tha ajo./kp