Që nga 1 janari 2021, doktori shqiptar Mentor Bilali do të marrë përsipër menaxhimin e përgjithshëm mjekësor të qendrës gastroenterologjike dhe endoskopisë në Spitalin SRO Langenthal dhe në praktikën Oberaargau AG në Langenthal.

Bilali, i cili ishte i ftuar në emisionin “Bon Bon” të RTV21 tha se ka fatin të fillojë detyrën e re përkrah kolegëve të tjerë.

 

Bilali është me prejardhje nga Breznica, Komuna e Bujanocit, por prej vitesh familja e tij është shpërngulur në Gjilan. Në moshën 4-vjeçare kishte migruar në Zvicër. Shkollën fillore e ka të kryer në Reiden të Kantonit të Lucernit, kurse gjimnazin e ka përfunduar në Sursee, në po këtë kanton.

Në vitin 2008,  Bilali e ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë pas 6 vjetësh studime në Universitetin e Baselit.

Specializimin e parë që kishte zgjatur 3 vjet, e ka bërë në kirurgji (kirurgjia e përgjithshme dhe abdominale), në Spitalin Kantonal në Olten dhe në urologji në Spitalin Universitar të Bernës (Inselspital).

Pastaj 3 vjet e gjysmë i kanë kaluar për specializim të mjekësisë interne në Klinikën Universitare në Aarau. Specializimin e dytë në gastroenterologji dhe hepatologji në Klinikën Universitare të Cyrihut, e ka përfunduar vjeshtën e vitit 2018, kur edhe ka punuar aty./21Media