Je rreth të tridhjetave dhe ke vënë re shenjat e para të plakjes? Para se të shtypësh butonin e panikut, duhet të kuptosh se plakja e lëkurës dhe formimi i rrudhave janë procese krejtësisht normale të jetës. Në fakt, lëkura është “mëkatarja” e parë, që të zbulon moshën që ke.

Nëse lëkura ndihet e thatë edhe pas aplikimit të një hidratuesi të mirë, enët e gjakut janë të thyera dhe kjo është shenja e parë që të përshëndet nga pasqyra: rrudhat e para kanë filluar. Të gjitha këto efekte janë të lidhura kryesisht me faktorët që çojnë drejt plakjes natyrore (shtresa e kulminacionit të lëkurës) dhe rrjedhjes së gjakut të reduktuar në lëkurë. Megjithatë, disa faktorë mund të përshpejtojnë plakjen e lëkurës: ekspozimi i tepërt në diell, pirja e duhanit, alkoolit apo edhe një dietë e çekuilibruar.

Shumica e njerëzve besojnë se plakja e lëkurës është e pashmangshme, ndaj edhe nuk kujdesen shumë për të. Megjithatë, disa modifikime në mënyrën dhe stilin e jetesës, mund të të tregojnë shumë më të re se mosha reale. Për të të ndihmuar të jesh në rrugën e drejtë, këtu ka disa këshilla që duhet t’i kesh parasysh për të mbajtur lëkurën të duket sa më e re të jetë e mundur.

Shmang ekspozimin e tepërt në diell

Është shkaku numër një i ndikimit të rrudhave, sipas dhjetëra studimeve të bëra në këtë fushë. Mbroje lëkurën nga rrezet e diellit, së pari duke qëndruar në shtëpi në kohën kur dielli është shumë i fortë dhe së dyti, bëje zakon përdorimin e një kremi mbrojtës me SPF të lartë dhe të mjaftueshme sa herë që del jashtë shtëpisë. Aplikoje të paktën 20 deri në 30 minuta para se të dalësh në diell dhe, mos harro! Edhe në vjeshtë e dimër, jo vetëm në verë!

Pi shumë ujë

Hidratimi i pamjaftueshëm është shkaku i dytë kryesor i rrudhave të tepërta. Në mënyrë që të qëndrojë me lagështi dhe elastike, lëkura ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me ujë. Nëse trupi nuk do të marrë lëngje të mjaftueshme, qelizat do të vdesin dhe lëkura, përfundimisht do të fillojë të humbasë elasticitetin duke lënë rrudhat në dritë.

Mjaft më me duhanin

Përveç dëmeve të ditura shëndetësore që sjell pirja e duhanit, ajo shkakton edhe plakje të parakohshme të lëkurës, sepse zvogëlon furnizimin e saj me gjak dhe ushqim. Kjo bën që lëkura të humbasë elasticitetin dhe lagështirën. Gjithashtu, pirja e duhanit, nëpërmjet disa veprimeve të përsëritura si tymosja, me kalimin e kohës, shkakton rrudha edhe në qoshet e syve dhe të gojës.

Bëj gjumë të mjaftueshëm

Kur nuk bën gjumë të mjaftueshëm, trupi prodhon kortizol (një hormon që prishet qelizat e lëkurës) në sasi të tepërt. Ndaj duhet të jesh e kujdesshme që orët e gjumit t’i konsiderosh të shenjta, në mënyrë që lëkura të marrë sasinë e caktuar të hormonit HGH (hormon i rritjes njerëzore), i cili ndihmon që lëkura të jetë e trashë, elastike dhe me më pak gjasa për t’u rrudhosur.

Fli gjithmonë me shpinë

Kushtoji vëmendje edhe mënyrës se si fle për të ruajtur lëkurën nga rrudhat. Fjetja në të njëjtin pozicion, me kohë shkakton rrudha, duke krijuar një lloj “copëtimi” në sipërfaqe të lëkurës, pasi është aty pjesa e mbledhur. Ata që flenë përmbys, rrudhat i kanë të theksuara në pjesën e kraharorit, të zverkut dhe fytyrës, si pasojë e mbështetjes në jastëk gjatë gjithë natës. Ndaj, mënyra më e mirë për të reduktuar rrudhat është të flesh me shpinë.

Ha ushqim të shëndetshëm

Tashmë, kjo këshillë duhet të jetë e qartë për çdo person, por është në ndihmë edhe të një lëkure të shëndetshme e pa rrudha. Konsumo sa më shumë ushqime të pasura me vitamina nga frutat dhe perimet e stinës. Po ashtu, mos neglizho frutat e thata si arra dhe lloje të ndryshme farash, të cilat janë të gjitha efektive, luftojnë plakjen e lëkurës dhe përmbajnë sasi të konsiderueshme antioksidantësh. Të gjitha në një paketë të vetme!

Mbaje larg stresin

Stresi shkakton krijimin e disa hormoneve si kortizoli – rënie e indeve të muskujve nën lëkurë. Kjo e bën lëkurën të hollë, të duket e rrudhosur e të ngjajë e vjetër. Mos harro se stresi është gjithmonë i lidhur me shëndetin dhe mënyrën e jetës që bën. Mbaje sa më larg!

Përdor një hidratues

Shumë femra në ditët e sotme janë të shqetësuara me produktet antirrudhë, sepse shpesh vërejnë fuqinë e një kremi të thjeshtë hidratues. Është më praktik dhe i bën rrudhat të jenë më pak të dukshme.

Mos e laj shumë shpesh fytyrën

Larja e shpeshtë e fytyrës pengon seriozisht elasticitetin e saj, sepse largon yndyrën dhe lagështinë natyrore të saj – dy përbërës që mbrojnë kundër rrudhave. Ndaj mos e laj shpesh, për ta mbrojtur atë. Më shumë se sapuni, përdor më mirë një pastrues natyral.

Konsultohu gjithmonë me dermatologun

Nëse dëshiron të përdorësh kremra dhe opsione të tjera të ndryshme kimike dhe kirurgjike (si botox apo mbushje të rrudhave me lazer) për të luftuar plakjen e lëkurës, është mirë që fillimisht të vizitosh dermatologun, i cili do të të udhëzojë si të veprosh në raste të tilla.