Merkel premton mbështetje për viktimat e përmbytjes

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka premtuar mbështetje të plotë për viktimat e përmbytjeve më të rënda të vendit në dekada.
Reshjet rekord të shiut në Evropën perëndimore bënë që lumenjtë të shpërthenin brigjet e tyre, duke shkatërruar rajonin.
Të paktën 59 njerëz kanë vdekur në Gjermani dhe qindra të tjerë janë raportuar të zhdukur, transmeton rtv21.tv.
Belgjika gjithashtu ka raportuar të paktën 11 të vdekur pas motit ekstrem, të cilin politikanët e kanë fajësuar ndryshimin e klimës.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, por lidhja e çdo ngjarjeje me ngrohjen globale është e ndërlikuar.
Duke folur gjatë një takimi me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden në Uashington DC, Merkel shprehu “ngushëllimet e saj më të thella” për të gjithë që kishin humbur të dashurit e tyre pas “një dite shqetësimi dhe dëshpërimi”.
Ajo gjithashtu premtoi mbështetjen e qeverisë me përpjekjet e shpëtimit dhe me rindërtimin, duke i thënë popullit gjerman se qeveria “nuk do t’ju lërë vetëm në këtë orë të vështirë dhe të tmerrshme”.
Shi më i madh është parashikuar në të gjithë rajonin edhe të premten.
Rreth 15,000 policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar me kërkimin dhe shpëtimin, ndërsa helikopterët morën banorët e bllokuar nga majat e çatisë dhe tanket pastruan rrugët nga pemët dhe mbeturinat./21Media

Back to top button