Projekti unik në territorin e Ferizajt, pas hapjes së gropës septike ditë më parë me sistem paralel të pompimit i jep fund përfundimisht problemit me ujërat e zeza, problem ky shumëvjeçar i fshatit Tërrn.

Për të mbikëqyrur këtë investim, doli sot në këtë fshat, nënkryetari i Komunës, Arton Gavazi dhe drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Ky i fundit tha se ky investim që ka një kosto prej 200 mijë eurove, aq i nevojshëm për banorët e Tërrnit, përfundimisht po ofron zgjidhjen e një sfide shumëvjeçare, me të cilën i ishte vështirësuar jeta banorëve të këtij fshati.

Ai tha se ky projekt unik u zhvillua si imponim i terrenit ku u realizua investimi, gjë që siguron qëllimin në vetvete, për largimin e ujërave të zeza që kullonin në pronat e banorëve të fshatit.

Falënderues për këtë projekt u shprehën edhe banorët e Tërrnit, përkatësisht kryetari i fshatit, Nazmi Musliu. Ai tha se me këtë zgjidhje që bëri Komuna e Ferizajt përmes këtij investimi u zgjidh një problem i kahmotshëm i fshatit.