Poezi nga Craig Czury
Përktheu: Elvana Zaimi-Tufa

mes kësaj filigrane psalmesh
arrij dhe nxjerr
zërin tënd të njëzet viteve më parë
që pyet ku është qendra ime

mes lutjes dhe zgjimit
iluzioni këmbëngulës i zgjimit
pa i lëvizur buzët
vetëm se nuk po fle më
palindrom uji
kur një zë qërohet
të tjerët sajojnë
inkremente tingulli
me interval muri shpërbëhet
një gjësend blu mes nesh
vazhdoj ta humbas vendin tim
tierra sagrada s’e them dot tamam
nëse qeshë unë që udhëtova
nga vdekja apo t’i tregoja vetes
këtë pyetje një gjë të tillë si e kaluara
~
mes lutjes dhe zgjimit
rizgjimi i lutjes
për të përfshirë këtë hapësí
sikur vëmendja të përqendrohet përtej
ti do të thoshe jo besueshëm
nën sipërfaqe diçka nuk shkon
frymëmarrja që është shumë larg
e padukshmja e dashur e ashtuquajtur më afër
e harroj shtrembërimin
vetë emri im në gjithçka
ky vështrim për orë të tëra i vetmuar
~
çdocila fjalë duhet ëndërruar
para se të bëhet poezi
po kush nga ne mund ta dijë
fillimin në këtë gjysmë-dritë
mes poetit dhe asketit
pasi dikur ke frymëmarrë përtej
si për të parë, edhe për t’u mbushur
vetëm i shkolluari i pandriçuar do të thoshte
metafora muzika e lustruar
kur diçka horizontale në errësirë lëviz
s’ka fare kohë të shkosh ta shohësh në sy
~
kundërthënia e zgjimit
mes shikimit dhe thënies
çka shihet nga heshtja
nëse ka ndonjëherë heshtje
fillon të tregosh me sytë mbyllur
~
ka një derë
dhe një hije që mendon se është fytyrë
në pasqyrën pas derës
ti e di që ka mace
por e vetmja syresh ka dalë jashtë me kohë
s’e sheh dorën kurrë
vetëm pasqyrën që mendon se është fytyrë
drita gjithmonë ndezur në korridor
ajo kruarje pas çimentos së lagësht
~
mes lutjes dhe zgjimit
gjuha hermetike e lutjes
kur kërcehet fshin këmbët
si ngjyra të pikturuara nga sytë
kur flitet fshin lutjen
membranë e hollë lëkure
mes tingullit imazhit ligjëratës
kjo poezi një hartë rrëzon pingul
~
gjuha e flakshme e zgjimit
muri varet mes kornizës së vet
pa bisedë heshtjeje
dhe kohën që duhet për t’u çmontuar
i humbur shpërbërë me ç’gjuhë
pastaj tamburët duron
në pyll me askënd
~
Infuzion i kundërt i lutjes
drejtuar nga vdekja
ose pasqyra e saj errësira fle
drita ngurron dhe bluan
kah një shikim i ngulmët pas syve
~
mes lutjes dhe zgjimit
con(tra)versación
mes një gruaje dhe një burri
që i flasin njëri-tjetrit
përgjatë një pengese të lehtë
që dredh laqe të shtrënguar
rreth asaj çka kurrë s’është thënë zëlartë
zë – harxhojmë tërë jetën
duke rrjedhur jashtë gjithë tingullit
të tepër për të shkaktuar zhurmë kafshe
jam ulur në zgrip të një heshtjeje të stërmadhe
në pritje që heshtja jote të më kthejë vitet mbrapsht.