Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, mësimdhënëset shtatzëna do të zëvendësohen nga studentët e Fakultetit të Edukimit.

Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se studentë të nivelit master dhe absolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna.

“Të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellë në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja. Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë. Mirënjohëse për gatishmërinë për kontribut nga ana e dekanit të FE, Blerim Saqipi dhe falënderuese paraprakisht për punën e studentëve dhe bashkëpunimin me mësimdhënëset dhe shkollat”, ka shkruar Nagavci në Facebook./21Media