Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkuar me urgjencë të ridiskutohet çështja e mësimdhënësve të cilët janë liruar nga puna me pagesë të plotë e që janë me sëmundjë të rënda, pasi që shumë prej këtyre mësimdhënësve sipas SBASHK u është kërkuar të kthehen në vendet e tyre të punës.

Siç thuhet në letrën drejtuar ministrit Hekuran Murati, arsyeja është se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nuk ia ka bartur mjetet financiare komunave, për t’i paguar të punësuarit që zëvendsojnë këtë kategori.

Sipas SBASHK-ut, është e padrejtë kërkesa që ata punëtorë të rikthehen në vendin e tyre të punës, pasi ekziston rrezikshmëri e lartë edhe nga infektimi me Covid-19, dhe kur dihet se tani në anën tjetër të punësuarat shtatzëna lirohen nga obligimi për paraqitje në vendin e punës.

“Kërkojmë nga ju që të gjeni kohë e hapësirë në agjendën tuaj e të ulemi e bisedojmë për realizimet e të gjitha obligimeve financiare që ka Qeveria ndaj punëtorëve të arsimit, e në veçanti si çështje urgjente është edhe çështja e mësimdhënësve me sëmundje të rënda, të cilët janë liruar nga puna me pagesë të plotë”, thuhet ndër të tjera në këtë letër të hapur nga SBASHK-u.

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kërkuar njëkohesisht që të realizohen shtesat ndaj punëtorëve të arsimit./21Media