Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot iu bëri thirrje gjithë qytetarët të dalin për të votuar në zgjedhjet e sotme.

Pasi shfrytëzoi të drejtës kushtetuese, i pari i shtetit në Shqipëri tha se ky është akti më patriotik që mund të bëjnë qytetarët.

“Punën më të rëndësishme sapo e realizova, i ftoj të gjithë të votojnë. Votimi nuk vetëm një detyrim qytetarë, nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese demokratike. Sot është një akt patriotik, mbrojta e atdheut. Sot atdheu mbrohet me votë dhe sjellje të qytetëruar evropiane”, tha ai.

Krahas kësaj, presidenti Meta iu bëri thirrje qytetarëve të zgjedhën alternativën më të mirë dhe kandidatët më të denjë.

“Barazinë para ligjit na garanton vetëm barazia e votës. Prandaj çdo qytetari të Shqipërisë, pavarësisht çka ka bërë deri dje, sot të votojë i lirë dhe dinjitet për alternativën që beson dhe jo vetëm kaq, por edhe për kandidatin më të mirë në listën e alternativës që do të zgjedhi”, tha ai.

Bashkë me Metën votoi edhe kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Ndryshe, 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vjetët e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.