Meta dhe Rama ngushëllojnë familjet e të vdekurve nga aksidenti në Kroaci

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar pas rastit të tragjik në Kroaci, ku kanë vdekur 10 persona, ndërsa janë lënduar dhjetëra të tjerë.
Presidenti Meta ka ndarë dhimbejn me familjen e viktimave, të cilëve iu ka shprehur ngushëllime.
“Me trishtim të thellë përcolla lajmin e rëndë për aksidentin tragjik në Kroaci. Ndaj dhembjen e madhe me familjet e viktimave dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Pasagjerëve të lënduar ju uroj shërim të shpejtë. Falenderoj autoritetet kroate, në veçanti për kujdesin shëndetësor të ofruar për të plagosurit.”, ka shkruar Meta në facebook.
Ndërsa, kryeministri Rama iu ka shprehur ngushëllime familjarëve si dhe është lutur që të lënduarit t’ia dalin.
“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëlime vëllazërore familjeve të viktimave”, ka shkruar Rama në twitter.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka informuar se nga komunikimi me autoritetet kroate nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik që ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë kanë vdekur 10 bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda./21Media 

Back to top button