Parlamenti britanik mbështetë kërkesën e Kryeministres

Britania më 8 qershor në zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Britani do të zhvillohen më 8 qershor, pasi që Parlamenti i Britanisë mbështeti kërkesën e kryeministres Theresa Mey për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Me 522 vota për dhe 13 vota kundër, Parlamenti votoi në favor të kërkesës së kryeministres, për miratimin e së cilës nevojiteshin votat e dy të tretës së deputetëve.

Mey ka argumentuar se një mandat i ri do të forconte pozitën e saj në bisedimet për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe do të ofronte një siguri më të madhe për ardhmërinë e vendit, shkruan rtv21.tv

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Britani ishte paraparë të zhvilloheshin në vitin 2020, por me ligjin e quajtur Akti Parlamentar, kryetarit të Qeverisë i mundësohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, nëse kjo kërkesë mbështetet nga dy e treta e deputetëve në Parlament.

Duke kërkuar nga opinioni publik që të ketë besim në të sa i përket vendimit për zgjedhje, Mey tha se vendit si asnjëherë më parë i nevojitet një kryesim i fuqishëm, për të siguruar një epilog sa më të favorshëm të bisedimeve për Bregzit, si dhe për të lëvizur Britaninë drejtë një rruge të re pas përfundimit të këtij procesi, si në fushën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.

Kryeministrja e Britanisë tha se zgjedhjet e parakohshme nuk do të jenë një ri-përsëritje e referendumit për Bashkimin Evropian, i cili u zhvillua vitin e kaluar, duke qartësuar se populli britanik ka vendosur në referendum për tu larguar nga unioni dhe se nuk ka kthim prapa nga ky vendim.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Britani reagoi edhe kryetari i Komisionit të Evropës, Zhan Klod Junker, i cili tha se bisedat për Bregzit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve në Britani, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit, Margaritas Sinas./21Media

Back to top button