Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një mesazhi të drejtuar qytetarëve, kërkoi që procesi zgjedhor të përmbyllet paqësisht dhe që të numërohet çdo votë duke respektuar në tërësi ligjet.

Kur numërimi i votave në Shqipëri është drejt fundit dhe PS është drejt mandatit të tretë, Meta kërkoi nga partitë që të dëshmojnë maturi dhe qetësi.

Presidenti shqiptar u shpreh se edhe pse ishte i vetëm përballë të gjithë institucioneve, sipas tij, të kapura, ia arriti që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë dhe pa skena dhune.

“Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi. Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik. Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”, deklaroi Meta.