Meta: Madhështisë shpirtërore  të Nënë Terezës ju përulën më respekt personalitetet më të mëdha të botës

Meta: Madhështisë shpirtërore  të Nënë Terezës ju përulën më respekt personalitetet më të mëdha të botës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare Nënë Tereza, me autor Anto Jurkiq, të realizuar nga kryetari i Këshillit organizativ, Idriz Sulejmani dhe mbarë bashkësia shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Poreçit.

Gjatë kësaj vizite presidenti Meta dhe të ftuarit e tjerë u pritën edhe nga kryetari i Bashkisë së Poreçit, Loris Pershuriq të cilin e falënderuan dhe e përgëzuan për këtë veprim që dëshmon dhe reflekton ndjenjat e miqësisë së vjetër dhe të shëndoshë mes popullit shqiptar dhe atij kroat.

“Madhështisë shpirtërore dhe humane të Nënë Terezës, ju përulën më respekt personalitetet më të mëdha të botës. Nënë Tereza ishte krenare për origjinën e saj shqiptare në çdo kohë edhe atëherë kur u vlerësua me Çmimin Nobel të Paqes”, tha presidenti Meta.

Ai shtoi se Shën Nënë Tereza, është përfaqësuesja me dinjitoze e vlera më të mira të të gjithë shqiptarëve, qofshin ata myslimanë, bektashinj, ortodoksë, katolikë apo evangjelistë.

“Vepra e Nënë Terezës duhet të na udhëheqë në të ardhmen në punën tonë për një shoqëri më tolerante, më mirëkuptuese, me respekt të ndërsjelltë dhe solidaritet pa dallime sociale, etnike, kulturore apo religjioze. Sepse ishin këto vlera të mëdha që e bënë Shën Nënë Terezën, nënën e të gjithë botës të adhuruar nga të gjithë qytetërimet”, është shprehur presidenti Meta.