Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në konferencën e përbashkët me u.d së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur edhe për arrestimet nga Gjykata Speciale.

Meta ka thënë se mbështet ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u përballur me drejtësinë e që në këtë mënyrë do të konfirmohet edhe njëherë drejtësia e luftë së popullit përball gjenocidit monstruoz serb.

“Në këtë kontekst vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj ish-drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’u përballur me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit përballë gjenocidit monstruoz serb në zemër të Evropës. Vlerësova qëndrimin e madh, qetësinë dhe unitetin e shfaqur nga të gjithë, nga presidentja në detyrë nga Kuvendi, siguria, forcat kryesore politike në këto çaste të rëndësishme për të krijuar funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike, por edhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës”, tha Meta.

Ndërsa, Osmani deklaroi se Kosova ende ka nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë, sidomos në organizatat ndërkombëtare ku vendi ynë nuk është i anëtarësuar.

Po ashtu, ajo ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Osmani u shpreh se ka pasur vetëm një të vërtetë dhe ajo është se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

Ndryshe, Osmani është duke qëndruar për vizitë tre ditore në Shqipëri, ku me nderime të larta shtetërore është pritur nga presidenti shqiptar Ilir Meta, si dhe ka bërë homazhe në Lezhë.