Replikat Mustafa- Nitaj

Replikat Mustafa- Nitaj

Po vazhdon debati mes ish kryeministrit të Kosovës Mustafës dhe deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt. Ky debat ka lindur kur Mustafa kishte shkruar një status për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin për delegacionin shtetëror, gjë që ka bërë Nitaj të reagojë dhe ta fus një metaforë të vezës në këtë debat.

Nitaj në media i kishte atij thënë se “pula e kojshisë gjithmonë venë e bën më të madhe”. Këtë metaforë të Nitajt, Mustafa e ka quajtur të turpshme.

“Eshtë e turpshme kur një deputet i Kuvendit të Kosovës e krahason një vendim të Gjykatës Kushtetuese me vezët e vogla dhe të mëdha. Në këtë nivel ka rënë deputeti ynë dhe në këtë nivel ka katandisur përgjegjësia dhe ndërgjegja jonë shtetërore.”, ka shkruar Mustafa

Tutje ai ka thënë se nuk e ka shkelur Kushtetutën kur është zgjedhur kryetar i Kuvendit.

“Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Me asjë shkronjë Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se unë e kam shkelur Kushtetutën në vitin 2014 kur jam zgjedhur Kryetar i Kuvendit. Por, unë e kam respektuar vendimin e Gjykatës për procedurat, dhe ditën që është publikuar e kam braktisur zyrën e Kryetarit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar në asnjë pikë se është shkelur Kuhtetuta me Marrëveshjen për kriteret për Asociacionin në vitin 2015, sepse marrëveshja nuk ka qenë akt juridik, por ka dhënë vërejtje për frymën kushtetuese, dhe ka konstatuar se Asociaioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së parë të vitit 2013, të nënshkruar nga ThaçI dhe të ratifikuar nga Kuvendi.
Prandaj, Gjykata kushtetuese nuk mbaron vezë, në logjikën e deputetit tonë, por sjell vendime. Dhe shkelësit, përfshirë edhe deputetët që kanë votuar Ligj në kundërshtm me Kushtetutën duhet ta ndien veten përgjegjës. Ndryshe, tallen me vetëveten, tallen me shtetin e Kosovës që e kanë mbërthyer deri në fyt me krim dhe korrupsion.”, ka përfunduar Mustafa.

Pas kësaj ka reaguar prapë deputeti,  Muharrem Nitaj duke thënë këtë debat e ka nisur Mustafa dhe i vjen mirë që është përfshirë. Po ashtu iu është drejtuar Mustafës disa pyetje.

“Për Ish-kryeministrin i kam disa pyetje: Nëse qenga turp që një deputet ta votojë një ligj i cili mund të rezultoj i papajtueshëm me Kushtetutën, pse nuk qenka turp që një Kryeministër të nënshkruaj një marrëveshje ndërkombëtare e cila nuk qenka në pajtim në 23 nene të saj me frymën e Kushtetutës!? Për mua as njëra as tjetra nuk janë të turpshme, sepse të gjithëdijshëm nuk jemi, por turp është kur këtë nuk e pranon, ose përpiqesh ta minimizosh!”, ka shkruar Nitaj.

Ai tutje e ka pyetur Mustafën se pse nuk e ka përmendur presidentin Hashim Thaçi si shkelës të mundshëm të Kushtetutës.

“E dyta, meqë i paskeshit gjetur të gjithë shkelësit e Kushtetutës; Qeverinë, Parlamentin, deputetët, pse nuk e paskeshit përmendur edhe Presidentin, si shkelës të mundshëm, meqë është filtri i fundit i një ligji para se të hyjë në fuqi!?”, ka shkruar Nitaj.

Në fund ai i ka sqaruar Mustafës arsyet se pse e ka përdorur metaforën me vezë.

“Dhe e fundit, a hiç nuk shihni ngjashmëri me shkeljet që keni bërë vet, dhe me “gverrin” që na e keni lënë me marrëveshjen e Asociacionit, sado që ato janë në proces për t’u korrigjuar pas Kushtetuesës, apo gabimet e të tjerëve janë sa bjeshka e tuajat janë hiç fare. Prandaj e kam përmendur atë metaforën e pulës së kojshisë që vezën e bën më të madhe, pa as më të voglin kasavet se do të turpërohesha por e pranoj se nuk kam llogaritur se ju krejt këtë debat, do ta shndërronit në luftë pulash e vezësh, ose pse nuk do ta kuptonit metaforën ose pse kështu do ta kishit më të lehtë!”, ka përfunduar Nitaj./21Media