Kreu i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i pyetur për idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut tha se ide të këtilla integristët mund t’i mbajnë për vete për inkurajim dhe motivim të anëtarësisë, ndërsa shtoi se me sa duket BDI po ndihet shumë rehat në këtë qeverisje 3-vjeçare në koalicion me LSDM-në.

“Mendojnë se mënyra me të cilën funksionojnë me LSDM-në, ashtu janë edhe të gjitha partitë e tjera politike. Ajo që dua t’i porosis është që të kenë kujdes se si sillen sepse maqedonasve, por edhe qytetarëve të tjerë në Maqedoni u ka ardhur në maje të hundës të qenit qytetar të dorës së dytë, ndërsa kërkesa të llojit të këtillë mund t’i mbajnë vetëm në radhët e tyre për inkurajim dhe motivin të anëtarësisë së vet. VMRO-DPMNE është parti politike që i drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike në Maqedoni dhe e shfrytëzoj këtë rast t’u drejtohem edhe atyre si parti politike se kjo retorikë dhe kjo mënyrë e sjelljes jo vetëm që nuk sjell të mira, por përkundrazi, e përkeqëson situatën në shtetin tonë. Ne do të përgjigjemi në mënyrën e duhur. Kjo sepse kaluan kohërat kur BDI ndihej komode dhe romantike në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Mickoski./21Media