Në Gjermani mijëra njerëz u mblodhën të mërkurën në qendër të Berlinit, për të protestuar kundër planeve të kancelares Angela Merkel që t’i japë kompetenca qeverisë për të vendosur masa kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Në protestë, protestuesit nuk kishin vendosur maska dhe nuk e respektonin distancën sociale. Policët bllokuan marshimin e protestuesve që të mos i afrohen shumë ndërtesës së kuvendit.

Pritet që më vonë gjatë ditës, dy dhomat e kuvendit t’i miratojnë ligjet me të cilat qeveria lejohet të vendosë masa kufizuese rreth kontakteve sociale, rregullave për vendosjen e maskave, pirjes së alkoolit në vende publike, mbylljes së dyqaneve dhe ndërprerjes së ngjarjeve sportive.

Ndonëse shumica e gjermanëve e pranojnë këtë version të izolimit të lehtë për ta luftuar valën e dytë të pandemisë, kritikët thonë se ligji i jep tepër kompetenca qeverisë dhe i rrezikon të drejtat civile të qytetarëve pa miratimin e kuvendit.

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), madje e ka krahasuar ligjin e ri me një akt të vitit 1933, i cili ia kishte hapur rrugën diktaturës naziste të Adolf Hitlerit, shkruan Reuters.