Miliarderi japonez, Yusaku Maezawa ka ftuar tetë anëtarë që të bashkohen me të për një udhëtim rreth Hënës në fluturimin e Elon Musk në SpaceX.

“Dua njerëz nga të gjitha profesioneve të vijnë” tha ai në një video përmes Twitter, ku ndau gjithashtu një lidhje me detajet e aplikacionit.

Ai tha se do të paguajë për të gjithë udhëtimin, kështu që ata që do të vijnë në bord do të fluturojnë falas.

Misioni, i quajtur DearMoon, është planifikuar të nisë në vitin 2023, transmeton rtv21.tv.

Aplikuesve u duhet të përmbushin dy kritere kryesore: Duhet të jenë në gjendje “të ndihmojnë të tjerët dhe shoqërinë në ndonjë mënyrë” dhe “të përkrahin pjesën tjetër të ekipit me të cilët kanë aspirata të njëjta”. “Kam blerë të gjitha ulëset, do të jetë udhëtim privat”, ka shtuar ai.

Ai kishte njoftuar kohë më parë se planifikonte të ftonte artistë për udhëtimin e veçantë, por ka shtuar se “donte t’u jepte mundësinë të gjithë njerëzve nga e gjithë bota që ta kryejnë këtë udhëtim”.

Vitin e kaluar, ai po ashtu lansoi një fushatë me të cilën kërkonte të dashur për t’iu bashkuar në udhëtim, para se ta anulonte për shkak të “ndjenjave të përziera”.

Më 2018, Maezawa u bë pasagjeri i parë privat që do të niset drejt Hënës me “SpaceX”, kompani e Elon Muskut të famshëm, që ka edhe “Teslan”.

Çmimi që ai ka paguar për biletën e tij mbetet i panjohur, por Musk pati thënë se “kishte paguar shumë para”.

Misioni i planifikuar për në vitin 2023, do të ishte udhëtimi i parë hënor nga njerëzit që nga viti 1972./21Media