Mimoza Haxhija Jedrashi zgjidhet kryetare e Odës së Arkitektëve të Kosovës

Mimoza Haxhija Jedrashi është zgjedhur kryetare e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, pas dorëheqjes së parevokueshme të Uran Kyçykut nga kjo pozitë.
Sipas një njoftimi të Odës së Arkitektëve të Kosovës ky vendim u mor nga Bordi drejtues i OARK-së, në mbledhjen e mbajtur më 08.06.2026.
“Pas situatës së krijuar si rezultat i dorëheqjes së parevokueshme të Kryetarit të Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, Bordi Drejtues, në përputhje me obligimet ligjore dhe statutore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të Odës, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë institucionale dhe funksionimin e rregullt të Odës, për çka është njoftuar edhe Komisioni Mbikëqyrës i emëruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).Në këtë drejtim, në mbledhjen e Bordit Drejtues të OARK-së, të mbajtur me datë 08.06.2026, me shumicë votash, ka zgjedhur anëtaren e Bordit Drejtues, znj. Mimoza Haxhija Jedrashi, në cilësinë e Kryetares së Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës për periudhën e mbetur të mandatit”, thuhet në njoftimin e OARK-së.
Po ashtu, sipas po të njëjtit njoftim Bordi Drejtues i Odës në fjalë i ka uruar Mimoza Haxhija Jedrashit suksese në pozitën e re duke shprehur besimin se me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, do të kontribuojë në avancimin e misionit dhe objektivave të Odës.
“Bordi Drejtues i uron znj. Mimoza Haxhija Jedrashi suksese në ushtrimin e detyrës së Kryetares së Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës dhe shpreh besimin se me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, do të kontribuojë në avancimin e misionit dhe objektivave të Odës. Njëkohësisht, Bordi Drejtues mbetet i përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të tij ligjore dhe statutore duke vazhduar të punojë në shërbim të anëtarëve të Odës dhe në mbrojtje e promovim të profesionit të arkitektit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ish-kryetari i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), Uran Kyçyku njoftimin për dorëheqje e bëri më 25 maj 2026, duke bërë të ditur se vendimi vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit brenda institucionit, të cilat, sipas tij, kanë pamundësuar ushtrimin normal dhe efektiv të detyrës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?