E sqaron Mimoza Kusari - Lila

E sqaron Mimoza Kusari – Lila

Deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila ka deklaruar se nuk është e nominuar për postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA. Kusari – Lila ka thënë se do të vazhdojë me angazhimin e saj si deputete në Kuvend.

“Pas publikimit të mesazhit tim urues për punën e kryer me dinjitet drejtuar Ambasadores së Republikës së Kosovës në SHBA, znj. Vlora Çitaku, u krijua një përshtypje dhe filloi të merret si i mirëqenë fakti, se unë jam e nominuara e radhës për postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA. Për hir të së vërtetës dhe korrektësisë ndaj publikut, unë ju informoj se NUK jam e Nominuar për Ambasadore në SHBA dhe nuk planifikoj shërbimin diplomatik në këtë periudhë të angazhimit tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë vazhdoj të udhëheq subjektin Alternativa, jam deputete në grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në Kuvend shërbej në dy Komisione Parlamentare në cilësinë e anëtares: Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ku jap kontributin tim profesional për fushat shumë të rendësishme të jetës së qytetarëve të Kosovës.”, ka thënë ajo.

Ministri i punëve të jashtme, Glauk Konjufca dje ka propozuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve politik, përfshirë edhe Vlora Çitakun. Kjo e fundit ka deklaruar se Thaçi i ka kërkuar ta vazhdojë detyrën, por u shpreh se do ta respektojë vendimin e Qeverisë. Çitaku ka thënë se nuk do të vazhdojë të shërbejë pa mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve./21Media