Grupi për Personat e Zhdukur raporton para ministrit

Grupi për Personat e Zhdukur raporton para ministrit

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, Alan Duncan, u takua me përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP-së) dhe “Grupin për Personat e Zhdukur” në margjinat e Samitit të Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, në Poznan.

Grupi për Personat e Zhdukur, i cili përbëhet nga përfaqësues të institucioneve vendore përgjegjëse për personat e zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, është krijuar me mbështetjen financiare të Mbretërisë së Bashkuar pas Samitit të Ballkanit Perëndimor të Londrës të vitit 2018.

Grupi kryen punë në mbarë rajonin për të ndihmuar në zgjidhjen e 12000 rasteve të personave që ende mungojnë pas konflikteve të viteve të nëntëdhjeta.

Ky grup i raportoi ministrit për përparimin që është bërë gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë krijimin e grupeve operative për të shkëmbyer informata dhe për të rënë dakord për veprimet e përbashkëta për zgjidhjen e rasteve individuale “pa emër”, duke e krijuar një bazë të të dhënave publike rajonale tejet të rëndësishme për rastet aktive të personave të zhdukur dhe duke i identifikuar lokacionet e varrezave të fshehta për gërmimet e përbashkëta në të ardhmen.

Gjatë konflikteve të viteve të nëntëdhjeta, në Ballkanin Perëndimor janë zhdukur përafërsisht 40 mijë njerëz, për të mos u parë kurrë më. Shumë nga ta ishin viktima të spastrimit etnik dhe mizorive të tjera: ata janë vrarë dhe kanë përfunduar në varreza masive anonime”, deklaroi Duncan.

Ai shtoi kjo mbetet një trashëgimi zemërthyese dhe pikëlluese e konfliktit, por sipas tij, ky rajon ka një histori të pabesueshme për gjetjen e atyre që janë zhdukur.

Deri më tani janë gjetur më shumë se 70% e atyre që janë raportuar si të zhdukur në fund të luftimeve në Ballkanin Perëndimor. Asnjë rajon tjetër pas konfliktit nuk e ka arritur kurrë një shkallë kaq të lartë të zgjidhjes së rasteve të personave të zhdukur”, vijoi ministri britanik.

Duncan theksoi se ende ka hapësirë për të bërë më shumë nëpërmjet pajisjeve teknologjike që përdoren nga ekspertët e ADN-së për ta përmirësuar identifikimin dhe duke e nxitur angazhimin publik në kërkim të informatave dhe nëpërmjet bashkëpunimit mes institucioneve në mbarë rajonin.

Mbretëria e Bashkuar po bën të gjithat për të financuar programet dhe për të dhënë trajtë veprimeve, që mund të sjellin ndryshime thelbësore kundrejt kësaj trashëgimie të dhimbshme të konfliktit”, tha ai

Gjatë samitit, Duncan u takua me ministrat e punëve të jashtme të Procesit të Berlinit, ku ai e përmendi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për ta mbështetur pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, do të takohet sot me udhëheqësit e Procesit të Berlinit, ku do të tregojë se si Mbretëria e Bashkuar po e përmbush zotimin për të dyfishuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në 80 milionë funte dhe për të dyfishuar stafin e Mbretërisë së Bashkuar që merret me sfidat e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.