Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar pas vrasjes që ndodhi dje në Kamenicë.

Selimi ka kërkuar nga ana e institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij në Kamenicë.

Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka thënë se rastet e tilla të dhunës në familje duhet të trajtohen me urgjence.

“Shqetësuese ngjarja e rëndë e vrasjes së qytetares nga bashkëshorti në Dardanë. Ngushëllime të thella familjes së të ndjerës. Me këtë rast, iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar për këtë rast tragjik dhe së bashku me institucionet e sigurisë t’i trajtojnë çdoherë me urgjencë rastet e dhunës në familje”, ka shkruar Selimi.

Selimi në fund ka shkruar se dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave janë të papranueshme si dhe janë në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriut dhe si të tilla nuk do të tolerohen.

Ndryshe, sot Gjykata Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka vendosur një muaj paraburgim për të pandehurin që vrau gruan e tij në fshatin Birivojcë të Kamenicës. /21Media