Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, sot me të arritur në Prishtinë deklaroi se Athina zyrtare po shikon përpara për të vendosur marrëdhënie me Kosovën. Kryediplomati grek theksoi se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

Mëngjesin e sotëm ai u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Dendias para mediave tha se vizita e tij në Kosovë është tregues për bashkëpunim rajonal mes fqinjësh.

“Ne jemi fqinj dhe jemi shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.

I pyetur nëse ka shpresë që Greqia të njohë së shpejti Kosovën, ministri i jashtëm grek deklaroi se kjo nuk është çështje shprese.

“Epo, nuk është çështje shprese, por një çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve”, deklaroi ai.

Ministri i jashtëm grek u prit në takim edhe nga kryeministri Avdullah Hoti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.