Gashi: Themelimi i YMCA-së në Kosovë është një mundësi e re për të rinjtë

Gashi: Themelimi i YMCA-së në Kosovë është një mundësi e re për të rinjtë

Në kuadër të vizitës që është duke realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe drejtues të YMCA-së në New York.

Ai gjatë kësaj vizite është pritur nga Rayda Marques, drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të YMCA-së dhe Julie Galanty drejtoreshë ekzekutive për zhvillimin e rinisë e YMCA-së.

Gashi gjatë këtij takimi ka kërkuar mbështetje në zhvillimin e programeve për të rinjtë e Kosovës, me theks të veçantë, ndërtimit të kampit rinor në fshatin Pjetërshtan të Gjakovës.

Ministri ka potencuar faktin se ndërtimi i një qendre rinore multi funksionale në Republikën e Kosovës, do t’i hap edhe një perspektivë më të madhe të rinjve në vend.

Në këto takime, ministri ka marrë mbështetje të fuqishme në zbatimin e këtij projekti.

“Përvojat të cilat i kanë vendet e ndryshme të Botës e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në avancimin e pozitës së të rinjve janë modeli më i mirë që duhet marrë si model për vendin tonë”, ka thënë ndër të tjera Gashi, njofton kumtesa për media.

Ministri ka njoftuar drejtuesit e YMCA-së se në Kosovë nevoja për përmirësimin e pjesëmarrjes së rinisë kosovare në aktivitete sociale vazhdon të jetë e rëndësisë së veçantë.

“Nevoja e vazhdueshme për përkrahjen e rinisë theksohet edhe në raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë ministri duke shtuar se “Themelimi i YMCA-së në Republikën e Kosovës është një mundësi e re për të rinjtë e vendit tonë”.