Ministri Latifi merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve në Vjenë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë.
Në ditën e parë të kongresit, gjatë sesionit “menaxhimi i katastrofave”, ministri Latifi prezantoi një punim, i përzgjedhur në mesin e tre punimeve më të mira të publikuara në pesë vjetët e fundit.
Në punimin e tij ai ka prezantuar konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Telemjekësisë.
Gjatë prezantimit, Latifi theksoi nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara, me vendet që kanë nevojë për të zhvilluar fushën e studimeve shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës, si një vend që duhet të përkrahet në këtë aspekt.
Me që, Kosova, sipas ministrit Latifi është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovënë këtë drejtim.
“Nga viti 1998-2019, 46% të punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autor nga Kosova”, theksoi Ministri Latifi.
Ai prezantoi para audiencës një metodologji dhe teknikë të re për përkujdesje të pacientëve, që i nënshtrohet të ashtuquajturës “Kirurgji për Kontrollin e Dëmit”, me rezultate shumë të mira, përmes te cilës bëhet dializa e drejtpërdrejt peritoneale./21Media

Back to top button