Ministri i Arsimit, Ramë Likaj sot uroi studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021.

Ai në veçanti i uroi studentët që këtë vit iu bashkohen institucioneve të arsimit të lartë dhe vazhdojnë rrugën e ngritjes intelektuale.

Ministri u shpreh se po fillon ky vit akademik, me një sfidë të përbashkët – pandeminë COVID-19, por, theksoi se  studentët dhe mësimdhënësit e Kosovës, kanë ditur gjithmonë t’iu prijnë proceseve të rëndësishme gjatë historisë.

“Jam i sigurt, se edhe ju keni po të njëjtën fuqi për të sfiduar vështirësitë, pra edhe kushtet e studimeve në forma që mund të ndryshojnë si shkak i pandemisë. Këtë do ta bëni, duke gjetur mënyra për përgatitjen tuaj profesionale sa më cilësore, në bashkëpunim edhe me mësimdhënësit tuaj.
Ju ftoj që të angazhoheni maksimalisht dhe bashkërisht ta bëjmë të sukseshëm këtë vit akademik edhe në rrethana të vështira. Kështu do të nderojmë vendin tonë dhe shumë breza të studentëve që u sakrifikuan për liri dhe jetë më të mirë. Me këmbëngulësinë tuaj, do ta ndërtoni të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja dhe të Kosovës!”, shkroi ministri në facebook./21Media