Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës.

Ministri Selimi dhe Ministrja Haradinaj–Stublla me të arritur në Luginë, janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Me Kryetarin Arifi, ministrat kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe për mundësitë e mbështetjes së tyre. Në takim dy ministrat u informuan me situatën aktuale politike në Preshevë, pozitën dhe kërkesat e qytetarëve shqiptar dhe projektet e Komunës të cilat janë në interes dhe në shërbim të përmirësimit të  jetesës së qytetarëve në vend. Gjithashtu u theksua rëndësia e angazhimit dhe punës së përbashkët me qëllim të forcimit të faktorit shqiptar atje. U ritheksua kërkesa e Kryetarit Arifi për të qenë pjesë e takimeve të dy qeverive shqiptare për të sinkronizuar politikat e përbashkëta, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Luginës në procesin e dialogut pasi që një marrëveshje e arritur pa e përfshirë Luginën e Preshevës, sipas Kryetari Arifi, do të ishte e paqëndrueshme.

Ministri Selimi në këtë takim ka potencuar faktin se rikthimi në Preshevë i jep atij një ndjesi tejet të veçantë, por edhe një përgjegjësi ndaj atij vendi. Duke folur për pozitën e qytetarëve të Preshevës, potencialin e lartë që ka dhe problematikat me të cilat ballafaqohet, Ministri Selimi tha se së bashku me Ministren Haradinaj, mbeten të përkushtuar për të ndihmuar dhe ofruar bashkëpunim të pakursyer për të bërë më të mirën për shqiptarët në këtë anë.

“Si ministër i Drejtësisë, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu siguroj se do të vazhdojmë të kemi një qasje të përkushtuar dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor për të përmirësuar dhe avancuar pozitën shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Komuna e Preshevës do ta ketë gjithë mbështetjen tonë në realizimin e projekteve konkrete për Luginën”, tha Selimi.

Kryetari Arifi poashtu u sigurua nga Ministri Selimi që do të ketë mbështetjen e Ministrisë së cilën ai e drejton në kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë dhe për këtë ofroi mbështetje financiare dhe profesionale për t’i kthyer këto degë në vendin që iu takon.

Ministri Selimi u shpreh i gatshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe urat e ndërtuara nga dy vendet për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin në interes të qytetarëve të Luginës.

Pjesë e këtij delegacioni është edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva.

Kryetari Arifi ka falënderuar dy ministrat për interesimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen e ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Preshevë./21Media