Ministri shqiptar i Mbrojtjes: Shqipëria dhe Kosova janë të sigurta nën mbrojtjen e NATO-s

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, deklaroi se vendi ndihet i sigurt pavarësisht kërcënimeve të mundshme, përfshirë edhe ato të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai theksoi se Shqipëria i harmonizon politikat e saj të sigurisë me aleancën ku bën pjesë, NATO-n.
“Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, që është më e forta në botë”.
Nufi nënvizoi gjithashtu se siguria e Kosovës mbetet e mbështetur nga prania e KFOR-it.
“E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR, është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë”.
“Rrjedhimisht shqetësimet që mund të ketë, për Republikën e Shqipërisë përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët dhe ne na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat që kemi marrë angazhim, në drejtim të aleancës”, ka theksuar tutje Nufi.