Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, priti në takim Ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me të cilin biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë, me fokus menaxhimin e situatës me COVID-19.

Me këtë rast ministri Veliu falënderoi Ipeshkvin Dodë Gjergji për rolin e tij dhe të kishës katolike në Kosovë, në sensibilizimin e të gjithë qytetarëve, në veçanti atij të besimit katolik për respektimin e udhëzimeve të Qeverisë së Kosovës, sa i përket masave ndaj virusit COVID-19.

Ministri Veliu po ashtu vlerësoi frymën civilizuese që po vazhdon të ndiqet nga krerët e besimeve fetare në Kosovë, në respektimin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht besimit të cilit i takojnë.

Ndërsa Imzot Dodë Gjergji uroi ministrin Veliu për detyrën duke shprehur gatishmërinë e tij, se do të vazhdojnë të ndikojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, si faktor i unitetit mes besimeve në vendin tonë./21Media