Raportimi i sotëm i Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media është përcjellë me përplasje verbale ndërmjet Veliut dhe deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziut.

Kjo e fundit ka deklaruar se të gjitha raportet tregojnë se në administratë publike një prej mangësive është politizimi dhe ndërhyrjet politike.

“Njëra prej mangësive është politizimi dhe ndërhyrjet politike. Ajo që kemi parë në vazhdimësi si punësimi është politizuar. Ata që vijnë nëpërmjet lidhjeve politike”, ka deklaruar ajo.

Asaj i është përgjigjur ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, i cili ka potencuar se nuk pajtohet me deklarimet dhe konstatimet e saj.

“Nuk kam bërë ndonjë studim. Por kam vërejtur se administrata publike është e përgatitur dhe e kryen punën e vet në bazë të rregullave të përcaktuara. sa i përket ndikimeve nuk besoj që ka dikush imun, nuk jeni as ju atje ku keni pas mundësi”, ka thënë ai.

Deputetja e LVV-së ka vazhduar të pyes ministrit lidhur me ligjin për sektorin publik, por që ministri Veliu është shprehur se nuk është ftuar të flasë për këtë temë.

“Në bazë të kërkesës së komisionit unë kam ardhur për dy pika, procesi i bashkimit, dhe procesi i funksionalizimit të reformës së administratës publike”, ka deklaruar ai.

Por, deputetja Arbëresha Kryeziu ka thënë se pyetjet e saj kanë të bëjnë me reformën në administratë publike.

“Jeni mësuar ti lexoni, keni avancuar. Gjithçka çka unë fola nuk ka aspak të bëjë jashtë asaj që jeni ftuar të folni. Ju edhe mund të zgjidhni të mos përgjigjeni sepse nuk ua kanë shkruar”, ka shtuar ajo.

Ministri Veliu duke iu drejtuar asaj ka deklaruar se edhe ajo e ka lexuar pjesën e propagandës.

“Atë pjesën e propagandës e lexuar edhe ju. E keni detyrë t’i lexoni deklaratat e juaja”, ka shtuar ai.