Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate, ka thënë se do t’i përmbushë të gjitha obligimet e përcaktuara me Ligjin nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara dhe aktet përkatëse nënligjore.

Tutje, kjo ministri ka thënë se tashmë ka nisur procedurat përkatëse për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë, në kuadër të të cilave hynë edhe dërgimi i pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

“Në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore është autorizuar zyrtari për fillimin e procedurës, si dhe janë siguruar mjetet për kontratë kornizë. Ministria e Drejtësisë këtë çështje do t’ua konfirmojë familjarëve të personave të akuzuar ditën e hënë, ku do të njoftohen në detaje në lidhje me përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Ishte Gresë Krasniqi, vazja e Jakup Krasniqit ajo që bëri të ditur dje se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ua ka ndaluar që përmes kësaj ministrie t’ua dërgojnë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë gjërat esenciale.

MPJD-ja ka thënë se arsyeja përse nuk janë dërguar pakot me gjëra esenciale për Jakup Krasniqin në Hagë është sepse ka skaduar kontrata me operatorin ekonomik./21Media