Ministria e Mbrojtjes jep detaje për zjarrin në Kazermën e Istogut

Për zjarrin i cili kishte kapluar sot në mesditë një objekt të kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës në afërsi të Istogut, ka dhënë detaje edhe ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.
“Në lidhje me zjarrin e sotëm që ka kapluar njërin nga objektet në Kazermën e FSK-së në Istog, ju njoftojmë se menjëherë në vendngjarje kanë intervenuar pjesëtarët e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë dhe personeli përkatës i Komandës së Forcave Tokësore, të cilët të mbështetur nga Njësia e Zjarrfikësve të Istogut, Klinës, Pejës dhe Skenderajt kanë arritur të lokalizojnë zjarrin duke e kufizuar vetëm brenda perimetrit të këtij objekti montazh, kësisoj duke mënjanuar mundësinë e përhapjes në objektet e tjera përreth”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.
Ministria ka njoftuar se paraprakisht, nga vendngjarja është evakuuar me kohë personeli.
Tani zjarri është shuar tërësisht dhe ekipet e specializuara të FSK-së janë duke punuar për sanimin e gjendjes dhe eliminimin e dëmeve tjera kolaterale.
“Shkaku dhe pasojat e zjarrit janë duke u hetuar nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e sigurisë së FSK-së, por dyshohet të kenë qenë si pasojë e instalimit të vjetëruar të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button