21 mjekë nga Serbia, prej 70 sa ia kishin mësyrë Kosovës, nuk janë lejuar të futen në vendin tonë nga organet e rendit dhe janë kthyer prapa për në Serbi.

Ata nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë, andaj kjo e fundit nuk i ka lejuar të hynjë në Kosovë.

“Ata (mjekët), që nuk janë lejuar (të hynë në Kosovë), nuk i kanë plotësuar dokumentacionin që u kërkohet për të hyrë për vizita monitoruese në Kosovë, prandaj nuk janë lejuar”, është bërë e ditur në përgjigjien e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com.

Tutje, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se mjekët tjerë u janë përmbajtur rregullave të Republikës së Kosovës dhe u është dhënë leja që të hynë.

“Mjekët që kanë hyrë, kanë pasur dokumentacion me të cilin kanë dëshmuar se janë edhe shtetas të Kosovës dhe iu kanë përmbajtur rregullave të shtetit të Kosovës”, ka njoftuar MSH.

Pikë-ndalesa e tyre ka qenë në kufirin e Merdares.

Muajin e kaluar Serbia i ka dhuruar 1 mijë teste për Coronavirus Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë./kallxo.com