Operatorët ekonomik, të cilët janë të kyçur në ruajtjen dhe distribuimin e vaksinave kanë dhoma me temperaturë prej 0 deri në 8 gradë celsius, frigoriferë me -20 gradë, si dhe automjete me ftohës, të cilët do të përkujdesen për ta ruajtur zinxhirin e ftohtësisë gjatë transportit të vaksinave.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informuan se operatorët shëndetësor do t’i pajisë edhe me frigoriferë me temperaturë deri në -70 gradë celsius.

Mes tjerash Ministria e Shëndetësisë jep siguri mbi cilësinë e vaksinave anti-Covid dhe apelon që qytetarët të mos ia vënë veshin lajmeve të rrejshme mbi vaksinimin.

“Qëllimi është të vaksinohen 60-70% e popullsisë, që është e mjaftueshme të sigurohet imuniteti kolektiv për ta fituar këtë virus. Jemi vazhdimisht pre e lajmeve të rrejshme mbi vaksinat. Duam t’iu sigurojmë se vaksinat janë tërësisht të sigurta. Ato zhvillohen mbi protokolle të zakonshme dhe të sigurta. Çdo qytetar të cilit i rekomandohet vaksinimi duhet ta pranojë. Kështu do t’i japim fund pandemisë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe Dr. Erin Shaughnessy nga Qendra Mjekësore e Universitetit Rush për zërin e Amerikës u shpreh se ruajtja e vaksinës në temperaturën ultra të ftohtë është një proces shumë i rëndësishëm.

“Frigoriferin special të ngrirjes mund ta hapim vetëm për dy minuta përndryshe çakordohet. Duhet të jemi shumë precizë në lëvizjet tona. Sapo të nxjerrim ilaçin nga atje, duhet ta vendosim në një frigorifer brenda 10 minutash, që të mos shkrihet menjëherë. Nëse shkrihet shumë shpejt, vaksina mbijeton për rreth dy orë dhe nëse shkrihet ngadalë, vaksina ka qëndrueshmëri për pesë ditë”, u shpreh Erin Shaughnessy – Qendra Mjekësore e Universitetit Rush.

Nga Qeveria e RMV-së kanë paralajmëruar se një sasi prej 800 mijë dozave të vaksinës do të arrijë në fillim të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se e njëjta do të sigurohet nëpërmjet sistemit Covax. Mirëpo, ardhja e vaksinës varet nga ajo se kur OBSH-ja do të aprovojë ndonjë vaksinë, e cila më pas mund të distribuohet.

Nga kjo organizatë thanë se disa kompani vaksinash kanë dorëzuar dosjet me rezultate, të cilat janë duke i shqyrtuar dhe do të vendosin për disa javë cila do të marrë licencë për përdorim.

“Ne kemi hapur shprehjen për interesim që para disa javësh, mendoj se ka qenë para 4 deri 6 javëve dhe kemi pranuar edhe studime edhe parashtresat e dosjeve nga disa komani. Së paku 10 kompani kanë shprehur interesim ose kanë dorëzuar dosje. Të dhënat do të konsiderohen vetëm për licencë  për përdorim urgjent kur ka fazën me tre rezultate të provave klinike në dispozicion. Aktualisht ka pak kompani që kanë këtë fazë me tre rezultate dhe ato janë rezultate të përkohshme. Ne kemi filluar me dosjen e Pfizer, po presim që të kemi edhe dosien e Modernas, AstraZeneca në javët në vazhdim dhe pastaj do të dalim me vendimin nëse do të marrin licencë përdorimi emergjent apo jo”, potencoi Soumya Swaminathan – OBSH.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë se do të sigurojnë sasi të mjaftueshme të vaksinave, si përmes sistemit COVAX ashtu edhe përmes ofertave tjera të Bashkimit Evropian.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara aktualisht janë vendi i gjashtë që ka miratuar vaksinimin me dy doza, përfshirë këtu Britaninë, Bahrenin, Kanadanë, Arabinë Saudite dhe Meksikën, raporton TV21./21Media