Sipas Ahmetit ky vendim i Ministrisë është bërë pa asnjë konsultim me komunën

Sipas Ahmetit ky vendim i Ministrisë është bërë pa asnjë konsultim me komunën

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të ndërprenë transportin publik në tërë vendin.

Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se ky vendim është i domosdoshëm për masat mbrojtëse, edhe pse thotë se ky vendim është marr pa asnjë konsultim me Komunën e Prishtinës dhe komunat e tjera.

Madje ai ka kërkuar nga qeveria të ndihmojë me subvencione kompanitë e transportit publik

“Sapo pranova vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e Transportit Publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë. Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera. Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë tutje se ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por sipas Ahmetit ndërprerja e menjëhershme pa kurfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të bëhet.

“Koordinimi me krejt institucionet është i domosdoshëm. Jemi të gjithë ushtarë në një betejë. P.S. besoj qe Qeveria do të shtojë edhe disa miliona subvencione për kompanitë e transportit publik në krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti./21Media