Ministrit serb i ndalohet vizita në Kosovë, deklarohet MPJD

Kosova e ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të ngjashme të Serbisë.
Kjo për portalin rtv21.tv është bërë e ditur nga Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
“Republika e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Republikën e Kosovës të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024”, tregon ajo.
Ky vendim i ndalesës së Ristiq në Kosovë, sipas Fazliut ka ardhur pikërisht nga refuzimi i lejimit të vizitës së shumicës nga përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovë në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Ky vendim vjen pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, qëndrim ky që është ashpërsuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare”, bën të ditur Qëndresa Fazliu nga MPJD. /21Media