Miratimi i marrëveshjeve, Kurti: Të përkushtuar për bashkëpunim rajonal

(Lajm i përditësuar)
Qeveria e Kosovës ka miratuar tri marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në nëntor të vitit të kaluar. Ekzekutivi, në mbledhjen e sotme, miratoi marrëveshjen për liri të lëvizjes me letërnjoftime me Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen për njohje të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve është tregues i përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për bashkëpunim rajonal.
“Vitin e kaluar pas afër dy viteve negociata, më 3 nëntor në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, nënshkruam tri marrëveshje të mobilitetit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshjet për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve janë që të gjitha të bazuara në rregullat e Bashkimit Evropian…Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Ai më tej shpjegoi në detaje edhe përfitimet e qytetarëve nga këto tri marrëveshje.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime. Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit publik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas. Kështu do të hiqet një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit. Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilën nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Kurti.
Në mbledhjen e sotme, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili është nga komuniteti turk, kërkoi nga ekzekutivi të ndajë mjete financiare për tu solidarizuar me popullin turk pas tërmetit atje dhe po ashtu që objekti i Qeverisë së Kosovës të ndriçohet me flamurin turk.
“Besoj se qeveria jonë do të vazhdojë ndihmën me kapacitetet e saj për të qenë pranë popullit turk. Unë paraqes dy kërkesa për solidarizim me popullin turk, së pari qeveria jonë të miratojë një shumë për t’u solidarizuar me popullim turk. Dy, objekti i qeverisë të ndriçohet me ngjyrat e flamurit të shtetit turk”, theksoi Damka.
Kryeministri Kurti tha se do të diskutojë shumë shpejt me ministrat në dikasteret përkatëse për t’i ndihmuar popullit turk.
“Qysh në mëngjes sot kam marrë iniciativë që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet me pamjet e ngjyrave të flamurit të Republikës së Turqisë. Njëkohësisht me ministrin Mehaj, Sveçla, Murati do të diskutojmë se çka mund të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit të cilët u goditën nga ky termet i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Kabineti qeveritar, ndau edhe mjete për pagesën e specializantëve me vetëfinancim gjatë vitit 2023. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo çështje është prioritet për vendin, sidomos tani në ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga vendi.
“Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe me ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, duke mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë, më të shpejtë, më cilësore në shërbimet shëndetësore”, theksoi Vitia.
Gjatë mbledhjes së mërkurës, ekzekutivi ndau edhe mjetet për subvencionimin e qytetarëve që kanë kursyer energjinë elektrike gjatë muajit janar.
Vitia i brengosur me ikjen e mjekeve: Tash mund t’i marrin deri në 1700 euro
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është shprehur i brengosur me largimin e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit.
Në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia tha se janë duke u përballur me mungesën e anesteziologëve.
Ai përmendi Ligjin e pagave, nga i cili, sipas tij kanë përfituar më së shumti personeli shëndetësor.
Sipas tij, me shtesa dhe rregulloret e reja, pagat e mjekëve mund të shkojnë deri 1700 euro.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se do të punojnë më shumë në infrastrukturën shkollore dhe ndërtimin e çerdheve.
Qeveria miraton marrëveshjet e Procesit të Berlinit
Qeveria e Kosovës ka miratuar tri projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, po ashtu ratifikuan edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Ndërkaq, miratuan edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit te lartë në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria miraton pagesën e specializantëve me vetëfinancim
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri më 31 dhjetor. Në arsyetimin e tij, ministri Arben Vitia ka thënë se kjo pagesë është stimulim për të luftuar ikjen e kuadrove shëndetësore.
“Specializantët të cilët i nënshtrohen shkollimit profesional dallohen sipas kategorive të financimit me buxhet të ministrisë dhe të komunave e institucioneve private apo me vetëfinancim. Numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët në krahasim me disa vende të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik dhe vendeve të rajonit. Sipas analizave që konstatojnë numrin e të vogël për kokë banori, ngrihen shqetësime për sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore të popullatës. Përveç kësaj edhe vendet tjera ka një kohë që përballen me këtë problematikë ndaj së cilës kanë ndërmarrë hapa për të rritur numrin e mjekëve përmes stimulimit dhe krijimit të një ambienti tërheqës për ta. Nën ndikimin e këtyre masave, Kosova po ndikohet drejtpërdrejt me ikjen e kuadrove shëndetësore”, ka thënë ai duke shtuar se këtë pagesë e konsiderojnë prioritet.
Ai ka shtuar se me vendimin e marrë do të ndikohet pozitivisht në ofrimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse shëndetësore e që qytetarët do të kenë qasje më të lehtë e më të shpejtë në shërbimet shëndetësore.
Kabineti ka miratuar edhe pagesën e 10 specializantëve me vetëfinancim nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Qeveria mban një minutë heshtje në nderim të viktimave nga tërmeti

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të mijëra jetëve të humbura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Kryeministri Albin Kurti, tha se mbi bazën e kapaciteteve do t’i ndihmojnë dy vendet.
Ai tha se njësitet e kërkim-shpëtimit të Kosovës tashmë janë në Turqi.
Në mbledhjen e sotme, kreu qeveritar përmendi edhe ratifikimin e tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit, për të cilat tha se tregojnë përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim rajonal.

Back to top button