Kampionati anglez pritet të vijojë me ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020, duke filluar që prej 17 qershorit, ndërsa Premier League ka miratuar sot edhe ndryshimet që do të jenë të vlefshme vetëm për këtë verë.

Kështu është miratuar përdorimi i 5 zëvendësimeve për çdo skuadër në një ndeshje, natyrisht ashtu siç u miratua më herët edhe nga FIFA, që të ndalet vetëm tre herë koha për të përdorur këtë privilegj.

Gjithashtu nga 7 futbollistë që lejohej të qëndronin në pankinë, tani trajnerët do të mund të mbajnë 9 futbollistë në stol dhe do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje në lojë e sipër.

Në këtë mënyrë, trajnerët do të mund të racionalizojnë më mirë lodhjen te futbollistët, duke kryer 5 zëvendësime, ndërsa në fushë do të mund të ruhet ritmi i lartë, pavarësisht se do të luhet në temperatura mbi normalen.