Miratohet buxheti i vitit 2026 për Zubin Potokun

Me shtatë vota për, zero kundër dhe asnjë abstenim, u miratua buxheti i komunës së Zubin Potokut për vitin 2026 nga Komisioni për Buxhet.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, derisa prezantoi buxhetin për këtë komunë, theksoi se buxheti për këtë vit do jetë rreth 3.6 milionë euro.
“Kemi përpara nesh buxhetin e komunës së Zubin Potokut, i cili, për fat të keq, nuk ka arritur të miratohet në kohë dhe sipas procedurës, si në rastet e tjera, para se buxheti, pra ligji për ndarje buxhetore, të miratohet në lexim të dytë dhe të hyjë në fuqi. Megjithatë, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e ka paraparë këtë skenar. Pra, nëse buxheti i një komune nuk arrin të miratohet me kohë dhe të përfshihet në ligjin për ndarje buxhetore, atëherë, në momentin e parë që miratohet, dorëzohet në Ministrinë e Financave. Ministria e Financave e përcjell më tutje përmes mbledhjes së Qeverisë, përmes vendimit të Qeverisë, për miratim në Kuvend, ku pastaj Kuvendi ka të drejtën ta miratojë apo jo”, tha Murati.