Diskutohet për draft-rezolutën

Diskutohet për draft-rezolutën

Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka miratuar draft-rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga Serbia. Në mbledhjen e komisionit, deputeti Sami Kurteshi ka folur edhe për takimin e thirrur të hënën nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli për mundësinë e krijimit të një Tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë, për të cilin ka thënë se ishte hap i shpejtë.

“Seanca dje ishte hap i shpejtë. Rezoluta është degraduar me veprimin e djeshëm”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bilall Sherifi ka deklaruar se çështja e tribunalit dhe rezolutës mund të shkojnë paralel.

“Ajo dje nuk ka qenë seancë, por takim i thirrur nga kryetari i Kuvendit. Nisma e kryetarit duhet të jetë ndaras, ne duhet të vazhdojmë me rezolutën ta miratojmë atë në Kuvend. Kur ne brenda t’i gjykojmë krimet e Serbisë në Kosovë, ndoshta hapet veshi i ndërkombëtarëve. Kërkesën e kryetarit të Kuvendit mos ta shohim që përplaset me ketë, por t’i shohim si dy iniciativa që mund të shkojnë paralelisht”, ka deklaruar ai.

Sipas deputetit, Mërgim Lushtaku në projekt-rezolutë duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike.

“Këtu duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike, sepse ka pasur tendencë për zhdukje biologjike. Ne duam të dënojmë një akt makabër të shtetit serb. Nëse kemi të bëjmë mundësi të bëjmë një tribunal kjo është e mirëseardhur. Pajtohem me gjithë këtë dokument”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa, Aida Dërguti ka propozuar që rezolutës t’i shtohet lista me masakra.

“Të pjesa e masakrave mund të shtohet fusnotë që rezolutës i bashkëngjitet si shtojcë lista me të gjitha masakrat. Pretendimi ynë është me bazë”, ka thënë Dërguti.

Deputeti Armend Zemaj ka thënë se fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës.

“Mendoj që kemi arritur të finalizimi i rëndësishëm i kësaj rezolute, duke e ruajt mandatin ad-hoc. Fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës që i dënon krimet. Faktohet që së paku institucionet tona, Kuvendi konstaton që një shtet agresor ka kryer gjenocid në Kosovë”, ka deklaruar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dje ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë.