Miratohet qëndrimi zyrtar i Kosovës për aplikim në BE para fundit të këtij viti

Komisioni Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE e ka miratuar qëndrimin zyrtar të vendit për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Kjo u bë e ditur në takimin e parë të këtij komisioni, ku i diskutua edhe situata gjeopolitike dhe zhvillimet e tjera relevante.
“Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti”, thuhet në komunikatëne zyrës së Kryeministrit.
Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj.
Anëtarët e komisionit gjithashtu diskutuan hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.
Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian./21Media

Back to top button