Misioni faktmbledhës i Platformës së KiE’së, të shqetësuar pas takimit me Kurtin: E justifikoi klimën armiqësore ndaj gazetarëve

Misioni Fatkmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka mbajtur sot një konferencë, që vjen një ditë pas takimit që zhvilluan me Kryeministrin Albin Kurti. Në konferencë u tha se liria e mediave është më keq se sa viteve të kaluara.
Ricardo Gutierrez, nga Federata e Gazetarëve Evropianë, vlerësoi se situata është shumë keq, teksa shtoi se qasja e kryeministrit Kurti ndaj mediave është shqetësuese.
Gutierrez tha se kanë kërkuar nga Kurti që t’i dënojë deklaratat publike kundër gazetarëve, por se nuk ka pranuar dhe se po e justifikon klimën armiqësore.
“Ne u takuam me Kryeministrin dje për gati dy orë, Kryeministrin dhe disa nga zyrtarët e zyrës së tij. Dhe nga këndvështrimi im, përfundimi më shqetësues nga ky takim është fakti që Kryeministri nuk po e njeh këtë klimë armiqësore; përkundrazi, ai po e justifikon atë. Kryeministrit Albin Kurti iu kërkua të dënonte deklaratat publike kundër gazetarëve, mirëpo ai nuk pranoi”, ka thënë Gutierrez.
Ai tha se sheh mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën, madje tha se sulmet ndaj gazetarëve sikur po justifikohen.
“E dini, ‘nëse gazetarët sulmohen, mbase kjo ndodhë sepse ndonjëherë edhe politikanët sulmohen’. Pra, është si të justifikosh këtë lloj gjëje dhe ai refuzoi qartë të dënonte, sepse ne i kërkuam atij, i kërkuam të dënonte çdo deklaratë publike kundër gazetarëve. Ai refuzoi ta bënte këtë dhe nga këndvështrimi im, ky është një nga përfundimet më shqetësuese të këtij takimi. Pse e them këtë? Sepse unë e shoh këtë si një mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën. Ne e pyetëm disa herë për propozimet e tij për të përmirësuar situatën asgjë nuk erdhi nga ana e tij, pavarësisht deklaratës zyrtare që ai publikoi pas takimit duke thënë se ishte gati të bashkëpunonte me ne dhe të konsideronte propozimet. Unë mund t’ju them se gjatë takimit nuk pati asnjë propozim për të përmirësuar situatën”, tha Gutierrez.
Edhe James Wiseman nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, tha se janë të shqetësuar për drejtimin që po merr liria e medias në Kosovë.
Ai rekomandoi që Qeveria të nis një dialog me shoqatat e gazetarëve, teksa theksoi nivelin e mosbesimit dhe polarizimit midis qeverisë dhe komunitetit të mediave.
“Gjatë takimit tonë me Kryeministrin dje, ne vumë re një mungesë gatishmërie për të pranuar shqetësimet legjitime që gazetarët kanë për sigurinë e tyre dhe për mjedisin rregullator. Në vend që të angazhohej me substancën e kritikave tona, ne pamë një tendencë për t’i hedhur poshtë ato si të motivuara politikisht.Si një rrjet që monitoron lirinë e shtypit globalisht, ne e dimë se kur dialogu midis autoriteteve dhe medias ndërpritet, kjo krijon një vakum që shpesh mbushet me armiqësi dhe vetëcensurë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të rinisë një dialog kuptimplotë me shoqatat e gazetarëve dhe të sigurohet që çdo ligj i ri, veçanërisht ai për KPM-në, të jetë në përputhje me standardet më të larta evropiane.Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër dhe raporti ynë i plotë do të detajojë rekomandimet tona specifike për të ndryshuar këtë trajektore negative”, tha Wiseman.
Ndërkohë, juristja e mediave, Flutura Kusari, përmendi arsyet pse ka përkeqësim të situatës.
“E gjetura jonë kryesore, siç u përmend, është që pas misionit që kishim pak a shumë në vitin 2022 e deri më tani, ka rënie të lirisë së medias në Kosovë, pra ka përkeqësim të situatës. Dhe arsyet kryesore janë të shumta, mirëpo ne jemi fokusuar në këto dy ditë të misionit në tre aspekte, të cilat besojmë që kanë ndikuar që situata të përkeqësohet.E para ka të bëjë me ligjin jo kushtetues për Komisionin e Pavarur për Media; e dyta ka të bëjë me presionin politik në Radio Televizionin e Kosovës dhe problemet me financimin e televizionit publik; dhe e treta ka të bëjë me sulmet verbale”, ka thënë Kusari.
Për takimin njoftoi dje edhe Zyra e Kryeministrit. Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se Kosova ka një mjedis mediatik të larmishëm dhe pluralist, ku liria e shprehjes mbrohet dhe ushtrohet, edhe nëpërmjet kritikës ndaj qeverisë.
“Ai tha se Kosova ka një mjedis mediatik të larmishëm dhe pluralist, ku liria e shprehjes jo vetëm që mbrohet, por edhe ushtrohet – përfshirë nëpërmjet kritikës ndaj qeverisë. Megjithatë, ai vuri në pah shqetësimet për mungesën e transparencës së pronësisë së mediave dhe ndikimin e interesave korporative”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, vjet Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
2025’ta, ishte viti i dytë radhazi që Kosova shënoi rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e kishte parë këtë rënie si reflektim të “politikës së vazhdueshme armiqësore” nga Qeveria Kurti.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, ishte thënë në reagimin e AGK-së.