Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i kësaj komune, Goran Rakiq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për portalin rtv21.tv  ka thënë se do të fillojnë organizimin e këtyre zgjedhjeve, sapo ato të shpallen.

“Si çdo herë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, për të organizuar zgjedhjet, kurdo që i kërkohet”, ka thënë Elezi për rtv21.tv.

Edhe Podujeva do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ishte zgjedhur më 3 shkurt të këtij viti, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.

“Kështu do të veprojmë edhe pas vazhdimit të procesit zgjedhor në komunën e Podujevës”, ka thënë tutje zëdhënësi i KQZ-së.

Lidhur me situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, Elezi për rtv21.tv është shprehur se nuk dihet se kur mund të organizohen këto zgjedhje pasi që kjo ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve dhe janë institucionet tjera përkatëse që do të vendosin.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministri./21Media