Modriqi udhëheq Kroacinë ndaj Shqipërisë

Përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq, të hënën ka publikuar listën e futbollistëve në të cilët llogarit për “Euro 2024” që mbahet në Gjermani. Lista është preliminare, derisa lista finale me më së shumti 26 futbollistë duhet të publikohet deri më 7 qershor.

Nuk ka befasi në listën e Kroacisë. Mesfushori i Real Madridit, Luka Modriq, do ta udhëheqë Kroacinë në Evropianin në Gjermani. Mund të jetë ngjarja e fundit e madhe për superyllin kroat.
Në listën e Daliqit janë 26 lojtarë, ndërsa nëntë të tjerë janë në listën pritëse. Pritjet nga Kroacia janë të mëdha. Këtë e di selektori kroat.

“Jemi të vetëdijshëm për ambiciet e mëdha dhe pritjet e të gjithëve. Por po ashtu jemi të vetëdijshëm se sa përfaqësuese të mira ka në Evropian. E kemi grupin më të fortë të mundshëm. Do të jetë vërtet shumë vështirë. E kemi rezultatin që e kemi dashur, që është kualifikimi në Evropian. Të gjitha të tjerat janë bonus”, ka thënë Daliq pas publikimit të listës.

Ai ka thënë se përfaqësuesja nuk ka presion dhe se do të bëhet maksimumi për paraqitje sa më të mira. Daliq pret përkrahje shumë të madhe në Gjermani.

Kroacia grumbullohet më 26 maj. Më 3 qershor luan miqësore me Maqedoninë e Veriut në Rjekë, ndërsa më 8 qershor e ka miqësoren e fundit para Evropianit. Përballet me Portugalinë në Oeiras.
Në Gjermani kroatët janë në grupin B. Më 15 qershor luajnë ndaj Spanjës, më 19 qershor ndaj Shqipërisë në Hamburg dhe më 24 qershor ndaj Italisë.

Te Kroacia ka yje të shumtë, por Modriqi është i pakrahasueshëm.

“Nuk i përshtatet atij një sezon kaq i lehtë. Ai duhet të jetë në çdo ndeshje në fushë dhe kështu do të jetë i vërteti. Jemi në kontakt çdo ditë. E di që ka luajtur më pak ndeshje, por ai mezi pret të grumbullohet me përfaqësuese, të jetë udhëheqësi ynë”, ka theksuar Daliq.

Me Modriqin si lider në fushë, Kroacia ka suksese të jashtëzakonshme.

Në Botërorin e vitit 2022 u rendit e treta, ndërsa në “Rusia 2018” ishte e dyta. Në Ligën e Kombeve ishte e dyta, vitin e kaluar. Tani kroatët kërkojnë sukses madhor edhe në Evropian.
Joshko Grvardiol e Mateo Kovaçiq të Manchester Cityt, Josip Stanishiq i Bayer Leverkusenit, Marcelo Brozoviq i Al Nassr, Mario Pashaliq i Atalantas, Nikola Vlashiq i Torinos, Ante Budimir i Osasunas, Andrej Kramariq i Hoffenheimit, Ivan Perishiq i Hajdukut janë disa nga emrat e njohur të Kroacisë.

Back to top button