Reagon Haradinaj

Reagon Haradinaj

Pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve Publike atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i Qeverisë këtë vendim e quajti si të papranueshëm dhe të padrejtë.

“Si kryeministër i vendit, e konsideroj të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve, duke ua humbur atyre vitin”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Kryeministri i vendit u zotua se ndaj këtij rasti do të veprojnë menjëherë duke ndërmarrë siç tha ai hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) vendosi që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020, Universitetit Publik të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit. KShC po ashtu sot nuk u ka dhënë akreditim disa institucioneve private si FAMA, Iliria, Tempulli dhe Kosova Art Academy, ndërsa Kolegji Biznesi dhe Juridica nuk kanë aplikuar fare çka me automatizëm nënkupton mosakreditim.

Kosova ka shtatë Universitete Publike: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Prizrenit ”Ukshin Hoti”, Universiteti i Pejës ”Haxhi Zeka”, Universiteti i Gjakovës ”Fehmi Agani”, Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka”, Universiteti i Mitrovicës ”Isa Boletini” dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj./21Media