Pas motit të ligë që ka mbretëruar që nga dita e djeshme në vend, KEDS-i ka angazhuar mbi 400 punëtorë, në zonat më të afektuara.

“Që nga dita e djeshme dhjetëra ekipe tona janë shpërndarë gjithandej vendit duke bërë çmos që të sanojnë dëmet e shkaktuara në rrjet sa më shpejt që është e mundur, ekipet tona po punojnë pa ndërprerë, me të gjitha kapacitetet në dispozicion në mënyrë që konsumatorëve t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Nga moti i ligë janë shkaktuar dëme të mëdha në shumë zona në vend, ndër më të prekurat janë: Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaji dhe pjesërisht Prishtina dhe Mitrovica.

“Tashmë është duke u bërë monitorimi i rrjetit në kohë reale përmes programit Kosovanet, ku evidentimi i avarive po bëhet në kohë rekorde ndërkaq përmes sistemit SCADA, dhe po mundësohet kontrollimi i nënstacioneve dhe intervenimi më i shpejtë nga ekipet tona”, shtoi KEDS.

Po ashtu, KEDS u bënë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë në terren dhe nëse shohin ndonjë avari në rrjet t’a raportojnë atë përmes Qendrës së Thirrjes në numrin pa pagesë: 0800 791 00, dhe përmes rrjetve sociale të kompanisë./21Media