Gjatë ditës në vendin tonë moti do të jetë i vranët, por edhe i butë. Mot i ngjashëm do të vazhdojë të mbizotërojë për gjatë gjithë javës së fundit të vitit 2020.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka parashikuar se mëngjesin e Vitit të Ri do të ketë mot stabil e pa borë. Temperaturat minimale për gjatë gjithë javës do të lëvizin ndërmjet -1 apo 0 deri 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimat e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-11 gradë Celsius.

“Mot kryesisht i vranët dhe i butë do të vijoj gjatë këtyre ditëve të fundit të 2020. Kjo situatë e krijuar meteorologjike do të vijoj të mbetet prezentë mbi vendin tonë. Vranësirat e krijuar gjatë vikendit do të vazhdojnë të mbeten jostabile duke krijuar kushte për reshje shiu në viset e ulëta, ndërsa në viset malore reshje sqote. Në mëngjes Viti i ri parashihet të vije me mot stabil, pa borë në viset mesatare, por vende-vende mund të ketë riga lokale shiu, por temperaturat do të jenë dukshëm mbi vlerat e mesatareve. Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe pesë ditore do të lëvizin ndërmjet -1 apo 0 deri 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-11 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHK.

Ndërkohë që shtohet se reshjet e fundit që ranë gjatë fundjavës kanë zbutur sado pak mungesën e ujit në liqenet artificiale.

Reshje pritet të ketë edhe në ditët vijuese të janarit.

Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-12m/s./21Media