Policia ka marrë të dhëna për ekzistim të dyshimit për kryerjen e veprën penale “ndërtim pa leje”, pasi mbrëmë doli në terren, shkaku i aktiviteteve për ndërtim të sistemit për furnizim me ujë në fshatin Siniçan në Tetovë. Të dhënat dhe informacionet kanë mbërritur edhe deri në Prokurorinë Publike Themelore në Tetovë. Sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angellovski, prezenca e nëpunësve policorë është në funksion të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.

“Detyra jonë është vetëm të ndërmerren masat ligjore, me qëllim që të parandalohet prishja e rendit publik dhe qetësisë në atë lokacion, të mos vijë deri te ngjarja të padëshirueshme me pasoja serioze për sigurinë e qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë derisa të ekzistojë vlerësimi i sigurisë se kjo mund të ndodhë”, tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Në lidhje me koordinimin dhe bashkëpunimin me Prokurorinë Publike, ai theksoi se MPB-ja bashkëpunon me Prokurorinë për të gjitha rastet kur bëhet fjalë për hetimet që i udhëheq.

“Ne si institucion, i cili është i obliguar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike kemi informata operative dhe disa denoncime nga banorë lokalë për rrezik serioz për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe pikërisht për këtë arsye në vendngjarjen ka prezencë të nëpunësve policorë. Policia është servis i të gjithë qytetarëve dhe ne jemi të obliguar të veprojmë në këto raste”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Sa i takon asaj nëse dhe ku duhet të ndërtohet ujësjellësi, nga MPB-ja porosisin se ata nuk kanë asnjë kompetencë dhe se për këtë vendosin institucione të tjera, raporton TV21./21Media